E vërteta historike e 100-vjetorit të Elbasanit

OLYMPUS DIGITAL CAMERANga Ervin Sina

Dy tituj kampion, dy Kupa të Shqipërisë, medalje në Spartakiada, Kupa të ndryshme, futbollistë në ekipet kombëtare, apo dhe shumë legjenda, përbëjnë një histori të madhe të futbollit verdheblu, që nuk mund ta mohoj askush. Një klub që kalindur më 1913

Në vitin e largët 1913, elbasanasi me origjinë rumune Jovan Dimitresku, vendosi t’i japi jetë ëndrrës për të ngritur një ekip futbolli në qytetin e lindjes, gjë që e bëri me kolegët e tij mësues dhe nxënësit e tyre. Dhe në fakt ia del mbanë, pavarësisht vështirësive të kohës, apo amatorizmit në cilësinë e lojës. Sot ka kaluar afro një shekull nga ai vit i largët. Kohët kanë lëvizur shpejt, ngjarjet gjithashtu janë rrokullisur po kaq shpejt e kjo jo vetëm për të gjithë vendin, por edhe për futbollin e këtij qyteti.

Klubi i futbollit ka ndryshuar shpesh edhe emrin e vet, por kurrë nuk ka ndryshuar trajektorja ngritëse në pasurimin e kësaj loje magjike. Brezat e futbollistëve vetëm sa kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, ndërsa shkëlqimi nuk ka mbetur thjesht aty, por është përmirësuar mrekullisht. Historia është shpesh kokëfortë e nuk të lë të gabosh. Dikush mendoi që në historinë e famshme të këtij qyteti do të mjaftonte lavdia e kalasë shumë domethënëse, apo dhe termi qyteti i arsimit, kulturës e shumë personaliteteve të shquar në rrafshin kombëtar.

Ndoshta u gabuan, sepse, përkundrazi, zbuluam pasionin e qytetarëve elbasanas edhe për një sport që me kalimin e viteve do të bëhej shumë popullor, pra futbollin. Tani nuk flasim me krenari vetëm sepse jemi nga vendi i Kristoforidhit, Xhuvanit, Nosit etj. Tani gjithkush mund të krenohet si bashkëqytetari i Ruzhdi Bizhutës, Shefqet Lamçes, Fadil Kovaçit, Mihal Gjikës, apo Ferdinand Lleshit e Bujar Gogunjës.

Ka kaluar një shekull nga viti 1913 e për fat emrat legjende që janë gdhendur në memorien qytetare dhe historike të klubit elbasananas janë shtuar shumë e më shumë. Nostalgjia është e madhe, ashtu si edhe koshienca për t’i nderuar ka mbetur e pa ndryshuar. Kujtesa dhe respekti për emrat, që kanë ndryshuar historinë e këtij klubi nuk është vetëm çështje falënderimi, por në një farë mënyre detyrim dhe përulje për të gjithë ata që i falën rininë dhe më shumë jetën e tyre këtij sporti magjik.

Ja pra pse vlen të nderojmë ata që rendnin të luanin në fushat e hershme të Balashes së Beut, në Çarjen e Stringës, buzë lumit Shkumbin, në fushën e Namazgjasë, në fushën e vjetër të sportit, sot “Shefqet Lamçja”, apo më të rinjte që luajnë sot në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Po flasim për “tortën”, sepse qershia mbi këtë tortë është padiskutim emri që ka lënë klubi elbasanas dhe të gjithë aktorët e këtij futbolli në historinë kombëtare të futbollit shqiptar.

Cili është ndikimi i talenteve elbanas në futbollin kombëtar?

Së pari është e nevojshme të thuhet se Elbasani zë një vend të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar përkrah ekipeve me traditë të kryeqytetit dhe skuadrat e tjera të rretheve si Shkodra, Kavaja, Vlora etj. Ky vend, jo vetëm i merituar, nuk i takon thjesht për sukseset e arritura në kampionate dhe kupa, ku llogariten nga dy trofe përkatësisht për çdo eveniment. Ajo me çka mund të krenohet më shumë ky klub ështe se i ka dhënë ekipeve kombëtare, U-21 dhe të rritur, kohë pas kohe dhe vit pas viti emra të shkëlqyer e të madhen,j që kanë mbetur në legjendat e ekipeve tona kombëtare.

Nuk kam pasur shumë nevoje të hap e të shfletoj të dhëna në arkiva për lojtarët elbasanas ndër vite, që kanë luajtur për kombëtaret përkatëse. Më kanë mjaftuar dëshmitë e gjalla të disa prej bashkëkohësve të këtyre emrave legjende. E rëndësishme është që gjithsesi futbolli shqiptar e, mbi të gjitha kombëtarja, do të kishte më pak shkëlqim në arkivin e saj, pa morinë e madhe të lojtarëve elbasanas, që kanë luajtur në përfaqësueset tona. Për ta bërë më të qartë panoramën e këtyre plejadave, jam munduar të bëjmë një ndarje dekadash.

Sigurisht do të nisim nga vitet 30-40-50 të shekullit të kaluar, pra para dhe pas luftës, ku na duhet të përmendim pinjollët e parë të futbollit pjesë e kombëtares. Vasil Biçaku është emri i parë që na vjen ndërmend, pasi bëhet fjalë për një sulmues shumë të njohur të fundit të viteve 30-të e fillim të viteve 40-të. Vijojmë më tej me mbrojtësin e “hekurt” Bexhet Jolldashi, Ruzhdi Bizhutën e më tej Sabri Peqini, respekti ndaj të cilit vazhdon të jetë i pandryshueshëm edhe pse vitet e largëta të kohës së tij mbysin paksa kujtesën.

Megjithatë, pavarësisht se Elbasani filloi ta luajë takimin e parë zyrtar pas vitit 1925, shkëlqimi i këtij klubi fillon të rritet ndjeshëm në fundin e viteve 1950, kur klubi do të merrte emrin Labinoti. Në vitet 1960-1965 ky klub prodhon një brez të artë lojtarësh, një pjesë e të cilëve bëhen kontribues në kombëtaret Shpresa, por edhe në ekipin e të rriturve. Dalin në skenë me kombëtaren sulmuesi i shquar Enver Ibërshimi dhe Bashkim Rudi, apo mbrojtësi Frederik Jorgaqi dhe Fadil Kovaci.

Dallohet mbi të gjitha një nga futbollistët më energjik të historisë së kësaj skuadre si Mihal Gjika, ndërsa deri në ekipin Shpresa luan plot sukses edhe Xhevahir Taushani. Është koha kur Elbasani vec këtyre emrave ka në përbërje edhe të tjerë lojtarë cilësore si Hyqmet Krati, Vasil Kallajxhiu, Ferdinand Shëngjergji etj me të cilët klubi elbasanas i shton prestigjin vetes dhe futbollit kombëtar, duke luajtur me sukses edhe disa ndeshje me skuadra e njohura lindore të kohës.

Por është fat edhe më i madh kur brezat e arte zëvendësohen me breza të tjerë po kaq të artë. Dhe Elbasani është vërtet fatlum që prodhoi pas viteve 1970 sërish lojtar po kaq të mëdhenj e kontribues në kombëtaren e parë si Luan Deliu, Bujar Gogunja e Dhimitër Gjika, pa harruar edhe ata që do të përfundonin me kombëtaren Shpresa aventurën e tyre kuqezi si Gjergj Sheputi, Kujtim Dalipi, Nevruz Duçka apo Sotiraq Gugu.

Një epokë kjo e lartpërmendur që mbyllet me fitimin e Kupës së Shqipërisë në vitin 1975. Por për Elbasanin kishte nisur një epokë e re në drejtim të shkollës së futbollit e cila tashmë kishte fituar eksperiencë. Godina e shkollës “Qemal Stafa” po kthehej gjithnjë dhe më shumë në destinacionin e preferuar së të rinjve elbasanas, të cilët në fillimin e viteve 80-të do ta shtojnë përfaqësimin e tyre në kombëtare me emrat e njohur të Ardian Popës, Kastriotit Peqinit, Vladimir Tafanit, Muharrem Dostit, Edmond Kelës, Ferdinand Bilalit.

Por “hajmalia” e atyre viteve do të ishte Ferdinand Lleshi, i cili bashkë me shokët e tij kishin shpallur kampion për herë të parë Labinotin në sezonin 1983-1984. Pas përmbysjes së sistemit komunist në kuadër të zhvillimeve të reja social-ekonomike edhe futbolli do të kishte një masivizim edhe më të madh në Elbasan. Yjet e rinj ishin gjithsesi kryesisht emra që rridhnin nga e njëjta e kaluar, ajo e klasave sportive të shkollës Qemal Stafa. Në fillim ata që bien më shumë sy dhe që shkojnë me kombëtaren shpresa janë portieri Edmond Kela dhe Bujar Muça, ndërsa edhe Muharrem Dosti do të linte shenjën e tij me përfaqësuesen. Më pas vjen ai brez i artë që imiton vitet 70-80. Gjithkush mund të kujtojë në 15 vitet e fundit kontributin me përfaqësuesit të Ferdinand Bilalit, Albert Duros, Gentian Stojkut, Ilir Qorrit, Julian Ahmataj, Oltion Osmanit, Arian Pishës, Dorian Bylykbashin e në mënyre të veçantë Klodian Duron, i cili është elbasanasi me më shumë prezenca ne kombetaren e pare, E Klodian Duro e ka vendin e sigurt në listën e krenarisë futbollistike te qytetit. Por për t’u vlerësuar është edhe përfaqësimi deri tek ekipi U-21 i Klevis Dalipit, Erjol Merxhës e Elvis Kotorrit, pa harruar në vitet e fundit edhe Engert Kucin.

Po sot?

Një titull kampion i 2005-2006, edhe pse ka funksionuar si shoqëri aksionare, duket sikur solli përmbysjen e Elbasanit, që prej tre vjetësh është pjesë e Kategorisë së Parë. Sot kryeson me meritë, ndërsa me kaq shumë trofe, dy tituj kampion, dy Kupa të Shqipërisë, medalje në Spartakiada kombëtare, apo dhe Kupa të ndryshme, duhet të ishte në mesin e më të mirëve të futbollit shqiptar. Sigurisht që do të vijë, në një kohë që stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” shumë shpejt do të jetë arenë e ndeshjeve të ekipit kombëtar të të rriturve, ndërsa trajnerët verdheblu kanë të gjithë licencën “UEFA PRO”. Shkurt Elbasani është 100 vjeç për të gjithë atë histori të mirë kombëtare në futbollin shqiptar.

Komento