Emërimet e drejtorëve të Arsimit, para konkursit do japin test me shkrim

Kandidatët për drejtorë arsimi do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim, që do të përgatitet nga ekspertë vendas, ndërkohë që më të mirët do të kalojnë në fazën tjetër që është ajo e konkursit publik.

Përzgjedhja

Zv/ministri i Arsimit, Arbër Mazniku, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se juria do të jetë e përbërë nga pesë veta, 3 përfaqësues të Ministrisë dhe dy ekspertë të jashtëm. “Aplikantët do të marrin pjesë në një testimi me shkrim. Kandidatët me rezultatet më të larta do të vazhdojnë më tej konkurrimin në një finale publike përballë mësuesish; prindërish dhe intelektualësh të qarqeve respektive si dhe një jurie prestigjioze. Do të ketë një grup ekspertësh nga ministritë që do të bëjnë edhe testimin,” tha Arbër Mazniku, zv/ministër i Arsimit.

Aplikimet

Ndërkaq autoritet e arsimit kanë deklaruar se ka pasur një fluks kërkesash për postin e drejtuesve të arsimit, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. “Numri më i madh i kërkesave i referohet pozicionit për drejtorin e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, deri mbi 30 aplikime. Tirana ndiqet nga Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës, DAR Fieri, DAR Berati e kështu me radhë. Ministria e Arsimit shpreh vendosmëri sërish për të përzgjedhur kandidatët në mënyrën më rigoroze dhe transparente të bazuar në ligj. Këto do të jenë kushtet e vetme për përzgjedhjen e drejtuesve të Drejtorive Arsimore Rajonale”, tha më tej zv/ministri i Arsimit.

Mësuesit

Një proces tjetër pasues pas zgjedhjes së drejtorëve të Arsimit në Tiranën dhe në rrethe, do të jetë dhe ai i drejtorëve në shkollat e arsimit parauniversitar. Megjithatë autoritet e arsimit ende nuk kanë dhënë detaje se çfarë do të ndodh me këto emërime. Rreth një muaj më parë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla shkarkoi nga detyra 12 drejtorë, të drejtorive Arsimore Rajonale, pasi siç u shpreh ajo nisur nga inspektimet dhe auditi i kryer në DAR-të e vendit, këta drejtues ishin përzgjedhur mbi bazë kriteresh politike dhe militantizmi, duke mos marrë parasysh asnjë lloj kriteri profesional. Emërime të ngjashme sipas Ministrisë së Arsimit ka edhe sa i përket drejtorëve të shkollave si edhe mësuesve në shumë shkolla të vendit. Pas përfundimit të procedurës për përzgjedhjen e drejtorëve të DAR-ve, Ministria e Arsimit do të merret edhe me drejtorët dhe mësuesit në shkollat publike të vendit.